Japonia i vendos maskë anti-Covid statujës gjigante të perëndeshës budiste

Statujës gjigande të hyjneshës budiste në Japoni iu vendos një maskë anti-Covid, duke simbolizuar lutjet për fundin e pandemisë së koronavirusit.

U deshën katër punëtorë dhe tre orë për të vendosur maskën në statujën e bardhë të hyjneshës budiste Kannon e cila është 57 metra e lartë, në afërsi të tempullit Houkokuji Aizu Betsuin në Fukushima.

Pasi u ngjitën në majë të statujës, punëtorët vendosën maskë rrjetë ngjyrë rozë me përmasa 4.1 m dhe 5.3 m dhe peshë 35 kg, në fytyrën e perëndeshës.

Statuja, e ndërtuar 33 vjet më parë, është e zbrazët brenda dhe ka shkallë spirale që mund të ngjitesh në lartësinë e shpatullës së perëndeshës.

Njerëzit vizitojnë shpesh statujën, e cila mban një foshnjë, për t’u lutur për lindjen e sigurt të foshnjave dhe për të kërkuar bekime për të sapolindurit.

Menaxheri i tempullit Takaomi Horigane tha se ata planifikojnë ta mbajnë maskën në statujë derisa situata COVID-19 të jetë nën kontroll në Japoni.

Burimi: Reuters

Të Fundit