I mori 108 mijë Euro të huajit përmes Call-Center, arrestohet 31-vjeçari

Një operacion policor i koduar “Programuesi”, është finalizuar nga policia, e cila ka zbuluar një skemë mashrimi përmes Call-Center-ave. Në një njoftim për mediat autoritetet bëjnë me dije se 1 person është arrestuar në flagrancë, ndërsa janë proceduar penalisht 3 të tjerë. Mësohet se është vënë në pranga Olti Ferhataj, 31-vjeç.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Programuesi”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit:

Olti Ferhataj, banues në Tiranë”, njofton policia.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 31-vjeçari nëpërmjet një call center-i të paregjistruar në organet tatimore, u prezantohej shtetasve të huaj si agjent burse që investonte në Kriptomonedha dhe Forex. Nëpërmjet këtij mashtrimi, ky shtetas ka përvetësuar nga një klient i huaj, shumën prej 108000 euro.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Të Fundit