Hyjnë në fuqi masat e reja kundër dhunës në familje/ kush ushtron dhunë largohet nga shtëpia !

Kush ushtron dhunë do të largohet nga shtëpia. Kështu parashikohet në masat e reja kundër dhunës në familje, të cilat nga sot do të fillojnë të zbatohen pas miratimit nga Parlamenti në datën 15 tetor të këtij viti.

Mbrojtja ndaj dhunës në familje, në zbatim të ligjit, do të sigurohet duke larguar menjëherë dhunuesin/en nga banesa për një afat kohor të caktuar me urdhër të gjykatës.

Largimin e dhunuesit/es nga banesa e bën policia, derisa gjykata të nxjerrë urdhërin e menjëhershëm të mbrojtjes ose urdhrin e mbrojtjes në Urdhërin Paraprak të Mbrojtjes së Menjëhershme.

Nisur nga situata e pandemisë dhe fatkeqësive natyrore të ndodhura në vend vitin e fundit, një ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me masat e menjëhershme që merr Policia e Shtetit në çdo rast që konstaton se është ushtruar dhunë në familje gjatë një fatkeqësie natyrore.

Në këto raste mund të menjanohet vleresimi i riskut, pra Policia mund ta nxjerrë UMPMM edhe pa pasur një raport të shkruar për vleresimin e riskut. Kështu, i  kërkon gjykatës të nxjerrë menjëherë Urdhërin e Mbrojtjes, duke shmangur procesin për lëshimin e Urdhërit të Menjëhershëm të Mbrojtjes.

Ndryshimet ligjore parashikojnë rehabilitimin e dhunuesit duke urdhëruar të marrë pjesë në programe psikosociale dhe/ose në programe të aftësimit prindëror.

Këto ndryshime ligjore janë propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Të Fundit