“Holanda bllokon negociatat për Shqipërinë”, reagon ambasada

Një ditë pas publikimit të progres raportit të Komisionit Evropian, Holanda duket se mbetet vendi skeptik për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Madje, gjatë diskutimeve në Parlamentin holandez, ministri i Jashtëm Stef Blok ka kërkuar që të ndahet procesi mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke gjykuar se vendi ynë nuk ka arritur mjaftueshëm progres për të nisur procedurat për anëtarësimin në BE.

Ambasada holandeze në Tiranë në një reagim mbi këto zhvillime thotë se, qeveria holandeze është e angazhuar që të përditësojë rregullisht Parlamentin sa i takon çështjes së zgjerimit të BE-së dhe diskutimet e zhvilluara dje kanë qenë në këtë kuadër.

“Dje, parlamenti holandez diskutoi shkurtimisht një letër që ministri i Jashtëm Blok i pati dërguar Parlamentit në datë 4 shtator. Letra i referohej draftit të kuadrit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, shpërndarë nga Komisioni Evropian në datën 1 korrik dhe që së fundmi po diskutohet në Bruksel”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ambasada sqaron se diskutimi nuk ka pasur të bëjë me progres raportin e KE-së, pasi për këtë qeveria holandeze pritet të dërgojë vlerësim në javët e ardhshme dhe se vendimi për qëndrimin zyrtarë të Holandës pritet të merret në nëntor.

“Në datë 6 tetor, Holanda gjithashtu mori paketën vjetore të zgjerimit të publikuar nga Komisioni Evropian, pjesë e të cilës është dhe raport progresi për Shqipërinë për 2020. Si zakonisht, qeveria holandeze do t’i dërgojë një vlerësim të kësaj pakete Parlamentit në javët në vijim. Kjo do të vijohet nga një debat sipas procedurave parlamentare. Do të jetë takimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në nëntor ku do të diskutohet paketa e zgjerimit”, përfundon reagimi i ambasadës holandeze.

Progres-raporti për Shqipërinë, i publikuar dje nga Komisioni Evropian vlerësonte se, vendi ynë ka plotësuar pothuajse të gjitha kushtet për hapjen e negociatave. Ndërkohë, vendimi për mbajtjen ose jo të takimit të parë ndërqeveritar Shqipëri-BE për hapjen e negociatave pritet të merret nga Këshilli i BE-së në dhjetor.

Holanda do të mbajë në mars të vitit të ardhshëm zgjedhjet dhe kjo shihet si një “sinjal” i keq për Shqipërinë pasi për interesa të brendshme partitë politike mund ta përdorin si kauzë elektorale zgjerimin e BE-së e më konkretisht rastin e Shqipërisë.

Vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dje gjatë konferencës me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi tha se, “ka një dinamikë të brendshme të ndryshme në vende të ndryshme dhe pastaj është ajo dinamikë që i bën ta shohin me sy tjetër raportin e progresit, sipas interesave të tyre”, duke iu referuar konkretisht Holandës.

 

Të Fundit