Gazment Bardhi: Nëse PD ka Berishën kryetar në 2025, do të mbyllë karrierën politike si deputet

Nëse vula zyrtare e Partisë Demokratike shkon te Sali Berisha, Gazment Bardhi thotë se është i përgatitur të mbyllë karrierën e tij politike si deputet në 2025.

I ftuar në Ora News, ai tha se në të tilla rrethana do të vazhdojë të jetë një anëtar i thjeshtë i kësaj partie.

Bardhi: Unë do të vazhdoj të jem në PD, nuk ka asnjë diskutim. Nuk bëhem pjesë e asnjë lëvizje për asgjë të re. PD është partia që më ka dhënë statusin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe unë do të mbështes, votoj dhe punoj gjithmonë për PD.

Sigurisht, nëse zoti Berisha do të jetë kryetari i PD dhe kandidat për kryeministër në zgjedhjet e vitit 2025 apo kurdo qofshin zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme unë e mbyll karrierën time si përfaqësues i demokratëve në Kuvendin e Shqipërisë duke vazhduar të kontribuoj si një anëtar i thjeshtë i zakonshëm në PD.

E mbyll me vullnetin tim të lirë. U qëndroj atyre gjërave që kam thënë sesi e shoh unë të ardhmen e PD, që përmes PD të ketë të ardhme Shqipëria.

I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të ulej ballë për ballë me Sali Berishën për gjetjen e një formule bashkimi për zgjedhjet e 14 majit ai u përgjigj:

Bardhi: Ulem me cilindo, nuk kam asnjë shqetësim sakohë bëhet fjalë për të gjetur një zgjidhje në në interes të PD, demokratëve dhe Shqipërisë. Jemi ulur me zotin Berisha, kemi bërë 2-3 mbledhje në fillim gati një vit më parë në grupin parlamentar. Një mbledhje ka zgjatur rreth 9 orë.

Të Fundit