Erion Braçe: Në Spitalin e Lushnjes vërtet të hante miu

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, foli edhe për problemet që shfaqen në spitalet e rrethit të Lushnjës.

Braçe u shpreh se rrethi i Lushnjes është rreth më i madh se qarku i Kukësit apo i Dibrës dhe nuk mund të marrë vetëm shërbime urgjence.

“Kam një çështje në parim, e kam për rrethin e Lushnjës. Bëhet fjalë për dy bashki, konsiderohet spitali atje si një spital bashkiak, ndërkohë që sot që flasim rrethi i Lushnjës është më i madh se qarku i Kukësit, sot që flasim rrethi i Lushnjës është më i madh se qarku i Dibrës, sot që flasim është më i madh se qarku i Gjirokastrës. Rrethi i Lushnjës sot që flasim është më i madh se Bashkia e Fierit. I gjithë ky rreth nuk mund të marrë vetëm shërbime të urgjencës, duhet konsideruar ndryshe, duhet t’i jepet një status tjetër. Nuk është si gjithë bashkitë e tjera, është krejt ndryshe”, tha Braçe.

Ish-zëvendës kryeministri foli dhe problematikën e poliklinikës në qendër të Lushnjës, ku theksoi me ironi se aty të hante vërtet miu përpara se të rikonstruktohej.

“Për shkak të natyrës së punës që është e gjitha në kushte atmosferike në verë dhe në dimër, se është në fushë të hapur, për shkak të sëmundjeve të trashëgueshme, ku sëmundjet e gjakut zënë vendin e parë, duhet trajtuar ndryshe. Nëse zgjidhim këtë problem të statusit, zgjidhen edhe të tjerat, siç u zgjidh dhe ajo poliklinika ku vërtetë të hante miu. Te ajo poliklinika në mes të qytetit të hante vërtet miu. Të hante miu që ç’ke me të. Nuk u kujtu njeri deri sa ajo u bë nga e para. Ashtu duhet të zgjidhen dhe problematikat e tjera. Siç u zgjidh problematika në shumë qendra shëndetësore të Lushnjës, ku po investohet për herë të parë. Ashtu do zgjidhet dhe problematika e spitaleve, por shikoni statusin, thelbësore është statusi”, tha Braçe.

Kujtojmë se ka qenë deputeti i PD-së Sajmir Korreshi, i cili pak kohë më parë në një nga seancat plenare në Kuvendin e Shqipërisë tha se në Spitalin e Lushnjes “të hante miu’.

Të Fundit