Elbasan, 12 vjet në dyert e Aluiznit, Stop zgjidh problemin e qytetarit 11 korrik 2018

Përparim Qose tregoi në emisionin “Stop” se ka aplikuar për legalizimin e banesës së tij që në vitin 2006, por ende nuk ka mundur të pajiset me të.

“Ata nuk ma kanë legalizuar, më sjellin përqark. Gjatë gjithë kësaj kohe unë kam shkuar 1000 herë, më kanë thënë që është në përpunim dosja dhe më kanë përzënë”, tha zoti Përparim, të cilit i nevojitet sa më shpejt leja e legalizimit për të rregulluar tavanin që po i prishet, pasi në atë banesë ndodhen tre kurora.

Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua ALUIZNI-t Elbasan, ku komunikoi me përgjegjësin Andrea Begu. Ai tha se pritej përgjigje nga Drejtoria e Hekurudhave për distancën e banesës së familjes Qose nga shinat e trenit.

“Objekti kishte një distancë që kërkonte domosdoshmërisht një konfirmim Hekurudhe. Në datën 11.06.2018 ka ardhur shkresa nga Drejtoria e Hekurudhave Durrës, e cila është shprehur se objekti i Përparim Qoses e respekton distancën e lejuar nga vija hekurudhore. Unë e kam trajtuar dosjen dhe ka dalë për vazhdim procedure për fazën e kualifikimit”, tregoi përgjegjësi i ALUIZNI-t Elbasan.

Tanimë çdo gjë është në rregull dhe Përparim Qose për 10 ditë do të ketë në dorë lejen e legalizimit, për të cilën është sorrollatur për plot 12 vjet.

Të Fundit