“Do të ulim çmimin dhe do të rrisim cilësinë e karburantit”- Basha prezanton planin e PD për energjinë: Brenda 180 ditëve të para të qeverisjes sonë…

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është zotuar sot në prezantimin e planit të PD për energjinë, që nëse vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 25 prillit, qeveria e tij do të ulë çmimin dhe do të rrisë cilësinë e karburantit për qytetarët.

Në fjalën e tij, lideri i opozitës, veçoi zotimin për heqjen e asaj që e quajti “taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti”.

Kryedemokrati u angazhua gjithashtu se kontrolli i rreptë i cilësisë së karburanteve do të jetë një tjetër prioritet dhe angazhim nëse PD vjen në qeverisje të vendit.

“Cilësia e karburantit për përdorim industrial apo familjar do të arrijë standardin europian brenda 180 ditëve të para të qeverisjes sonë. Ky është angazhimi që marrim përpara jush sot”, u shpreh Basha.

Pjesë nga deklarata e Bashës:

“Ne do të ulim çmimin dhe do të rrisim cilësinë e karburantit për qytetarët, përmes politikave fiskale, ku veçoj heqjen e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti dhe duke hapur tregun e duke zhbërë dhe çmontuar monopolet që ekzistojnë sot.
Jo vetëm që do të kurseni para, po edhe Shqipëria do të jetë më e gjelbër, më e shëndetshme dhe më e pastër.

Ne do të rrisim sigurinë e furnizimit me energji në vend, përmes investimeve në burime energjie të gjelbra e të pastra: Shqipëria do të përfitojë nga pozicioni i saj i shkëlqyer gjeografik, duke u kthyer në një qendër për furnizimin e mbarë Ballkanit, po edhe më përtej, me gaz natyror, i cili është më i pastër, më i pakushtueshëm dhe do të forcojë ekonominë tonë.

Ne do të nxisim fuqishëm prodhimin e energjisë nga burime të gjelbërta dhe të pastra me fokusi energjinë hidrike dhe atë të erës. Do të nxisim ndërtimin e kapaciteteve të reja të mëdha si energji të pastër në bazë, ndërsa rezervat hidrike të KESH do t`i përdorim për energjinë e balancimit apo energjinë në pik.

Përparësi reformave tona në këtë sektor do të jetë lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, evazionit dhe kontrabandës që sot ka kapur sektorin. Ky fenomen, sot po rrënon pasurinë kombëtare dhe po dëmton rëndë konsumatorët.

Ne do të zhdukim monopolet dominuese në tregun hidrokarbur, si dhe do të forcojmë luftën ndaj evazionit fiskal e do të mundësojmë dyfishimin e investimeve private në sektorin e naftës, i cili vitet e fundit po vuan rënien e ndjeshme të këtyre investimeve për kërkim-zbulim-prodhimin e naftës.

Kontrolli i rreptë i cilësisë së karburanteve do të jetë një tjetër prioritet absolut dhe angazhim i qeverisë tonë. Cilësia e karburantit për përdorim industrial apo familjar do të arrijë standardin europian brenda 180 ditëve të para të qeverisjes sonë. Ky është angazhimi që marrim përpara jush sot.

Të Fundit