Denoncimi i ”Stop”/ 30-vjecarja i vodhi paratë pacientit të vdekur tek Infektivi, Shoqata e Infermierëve hedh dyshime: Hetoni pasurinë e bluzave të bardha.

Pas sanitares Tire Alldervishi që punonte në spitalin “Shefqet Ndroqi”, e cila zhvati nga paratë vajzën e një pacienteje me koronavirus, një tjetër rast abuzimi u denoncua mbrëmjen e së hënës.

Emisioni “Stop” publikoi një tjetër skandal në sistemin shëndetësor, kësaj radhe në Spitalin Infektiv, i njohur tashmë si spitali COVID 1. Një qytetar, djali i një 58-vjeçari, ka denoncuar se babait të tij, i cili ishte i shtruar në spitalin COVID 1 pasi ishte infektuar me koronavirus, i kanë vjedhur paratë që kishte në portofol. Sipas denoncimit të tij, babai iu shtrua në spital më 22 dhjetor 2020 dhe humbi jetën më 27 dhjetor 2020. Djali thotë se para se të shtronte të atin në spital, i kishte dhënë portofolin me 202 mijë lekë të vjetra, brenda të cilit ndodhej edhe karta e bankomatit së bashku me kodin “pin”. Por dy ditë përpara se babai të humbiste jetën, denoncuesi tregon se nga bankmati ishin tërhequr para me kartën e bankës që kishte lënë në portofolin e të atit. Autorja e dyshuar e kësaj ngjarjeje, u identifikua dhe u arrestua dje nga Policia e Tiranës. Bëhet fjalë për infermieren nga Durrësi, 30- vjeçaren Ronida Hysa.

ARRESTIMI

Policia e Tiranës njoftoi dje se specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetases Ronida Hysa, 30 vjeçe, banuese në Durrës. “Ndalimi i kësaj shtetaseje u bë pasi në bazë të pamjeve filmike rezulton si autorja e vjedhjes së një shume parash në portofolin e shtetasit K. D., i cili ka qenë i shtruar në spitalin infektiv, ku ka ndërruar jetë nga COVID-19”, tha Policia. Më tej sqaroi se, pas kallëzimit të bërë për këtë ngjarje, nga djali i të ndjerit, shtetasi F. D., 25 vjeç, i cili ka deklaruar se nga llogaria bankare e të atit ishte tërhequr shuma 60 mijë lekë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë kanë organizuar punën për identifikimin e autorit. “Në bazë të provave filmike ka rezultuar se edhe shuma e parave është tërhequr nga shtetasja R. H., infermiere në Spitalin Infektiv, e cila ka pranuar autorësinë e ngjarjes, që është bërë mediatike edhe nga emisioni investigativ ‘Stop’. Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime hetimore të mëtejshme, për veprat ‘Vjedhja’ dhe ‘Vjedhja duke shpërdoruar detyrën’”, tha Policia.

“NUK JUSTIFIKOJNË TË ARDHURAT, HETONI PASURINË E BLUZAVE TË BARDHA”

Pas arrestimit të infermieres së Spitalit Infektiv ka reaguar Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë, e cila kërkon veting të të gjithë bluzave të bardha që punojnë në spitalet COVID. “Është e disataherë që i bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të nisin një hetim të personelit që punon në këto spitale, pasi pothuajse të gjithëve në mënyrë të pajustifikuar iu kanë rritur të ardhurat e tyre, jo vetëm prej bonusit të dhënë nga qeveria, por në forma të tjera të padeklaruara dhe burimi i këtyre të ardhurave nuk justifikohet”, citohet në deklaratën, ku korrupsioni midis bluzave të bardha nuk nënvizohet si diçka e re si dhe denoncohet mënyra e shërbimit dhe mungesat e theksuara në spitale.

Të Fundit