COVID-19, Manastirliu: Pacientët në spitale mund të flasin me tabletë me familjarët e tyre

Situata e coronavirus në Shqipëri vijon të jetë e njëjtë, me numrat e të infektuarve dhe viktimave që shqetësojnë jo pak. 12 persona kanë humbur jetën nga Covid-19 vetëm 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të fataliteteve në 822, ndërsa janë regjistruar dhe 832 raste të reja.

Në total, janë 18.808 pacientë aktiv me coronavirus në të gjithë vendin, por Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Fieri janë qytetet, të cilat kanë numrin më të lartë të personave të prekur.

Rritja e numrit të personave me coronavirus bëri që qeveria shqiptare të hapë dhe spitalin covid-4, për t’u ardhur në ndihmë sa më shumë personave që kanë nevojë për asistencë të specializuar.

Një problematikë e hasur gjatë këtyre muajve ka qenë dhe kontakti i të sëmurëve që marrin trajtim në spitale me familjarët e tyre, por sipas ministres së shëndetësisë Ogerta Manastirliu, përmes tabletave të sëmurët do të kenë mundësinë të komunikojnë me të afërmit.

“Kemi vendosur për shembull që të kemi disa tableta me numrat e telefonit dhe internetin që të paktën edhe nëse pacientët nuk duan të komunikojnë ju mund t’i shihni me ndihmën e koordinatorëve, që janë profesionistë të rinj që janë në këto spitale”, u shpreh Manastirliu.

Aktualisht janë 506 persona që po marrin kurim në spitalet e dedikuara Covid.

Të Fundit