“Bota në zmbrapsje të rëndë të drejtave të njeriut”, deklaron Komisionerja e Lartë e OKB

Shefja e të Drejtave për Njeriun në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka bërë thirrje për “veprime të koordinuara” për të luftuar një përkeqësim të thellë  të të drejtave të njeriut në mbarë botën.

“Për t’u rimëkëmbur nga zmbrapsja më e madhe e të drejtave të njeriut në jetën tonë, na duhet një vizion që sjell ndryshime rrënjësore dhe veprime të koordinuara në vijim”, tha Michelle Bachelet në fjalën e saj hapëse në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB.

Ajo theksoi se “varfëria e skajshme, pabarazia dhe padrejtësitë po shtohen” dhe se “demokracitë dhe hapësira qytetare po rrënohen”.

 “Dalja nga kriza komplekse e COVID-19 dhe drejtimi nga një e ardhme gjithëpërfshirëse, e gjelbër dhe e qëndrueshme do të jetë puna e këtij brezi liderësh botërore, ose rënia e tyre”, shtoi ajo.

Bachelet tha se ishte e “shqetësuar” nga shtimi i madh i dhunës dhe plagosjes së civilëve në Afganistan, “shumë e shqetësuar” nga ndryshime jo kushtetuese në qeveritë e Çadit dhe Malit; dhe “thellësisht e trazuar” nga ngjarjet që po ndodhin në Etiopi.

OKB paralajmëroi më herët gjatë muajit se 30 mijë fëmijë rrezikojnë të vdesin nga uria në rajonin Tigrei për shkak të konfliktit midis forcave federale dhe Ushtrisë Popullore Çlirimtare.

Në Azi, ajo tha se zyra e saj po mbikëqyr aplikimin e Ligjit Kombëtar të Sigurisë në Hong-Kong dhe “ndikimin drithërues që ka mbi hapësirën qytetare dhe demokracinë, si dhe pavarësinë e shtypit”.

Në total, 107 persona janë arrestuar që nga koha kur ligji hyri në fuqi më 1 korrik 2020, ndërsa 57 janë dënuar.

Në Europë, Bachelet paralajmëroi se situata në Bjellorusi “vazhdon të përkeqësohet” me kufizime mbi hapësirën qytetare, përfshi këtu lirinë e shprehjes, demonstratat paqësore, bastisjet kundër shoqërisë civile dhe mediave të pavarura si dhe procedimet penale për aktivistë të drejtave të njeriut dhe gazetarëve.

Të Fundit