Basha:Akuzat i bëmë ne, Koka nuk është “peshku i madh”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dalë në një prononcim për mediat ku ka reaguar për arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka.

Ai ka thënë se denoncimi për firmosjen e inceneratorëve është bërë nga PD dhe se pas Kokës janë emra të tjerë të qeverisë Rama.

Basha tha se nuk është Lefter Koka peshku i madh.

“Arrestimi i sotshëm i ish-ministrit të Edi Ramës, Lefter Koka, është një tjetër provë që fakton drejtësinë e denoncimeve të Partisë Demokratike. Sot është dita të kujtojmë se është dita të kujtojmë se ishte Partia Demokratike e cila në shkurt të vitit 2018-të, nisi procesin e denoncimeve dhe të interpelancave parlamentare, përkundër gjithë zhumnajës, blerjes së heshtjes publike duke përfshirë influencimin përmes parave të inceneratorëve pothuajse të gjithë mediave shqiptare. Për 400 milionë euro që iu janë zhvatur taksapaguesve shqiptarë. E pra sot, arrestimi i ministrit të Ramës provon se akuzat tona kanë qenë të drejta. Se denoncimet tona kanë qenë të bazuara. Thënë kjo, nuk ka qytetar shqiptarë ta besojë se ky është peshku i madh. E dinë të gjithë që 17 vendime qeverie brenda dite, nuk i nxirrte dot një ministër kushdo qoftë ky. Emrat e vërtetë që qëndrojnë pas kësaj afere, pas këtij abuzimi me 400 milionë euro të shqiptarëve, janë ato të Edi Ramës, të Damian Gjiknurit, të Erion Veliajt, Klodian Mërtirit, Arben Ahmetajt dhe surogatëve të tjerë, dy kryetarëve të tjerë të bashkive të tjera. Ndaj sa kohë që nuk ka veprim të plotë, nuk ka drejtësi të plotë për këtë aferë të tmerrshme korruptive e cila ka varfëruar edhe më shumë xhepat e shqiptarëve.

Nuk mund të themi se sot është një ditë triumfi, për drejtësinë. Është ndoshta fillimi i një procesi, por që nuk mund të përfundojë pa i dhënë përgjigje pyetjeve se çfarë bëhet me kokat e kësaj afere, me kreun e qeverisë që kaloi 17 vendime qeverie brenda një dite. Paratë e kujt po pastronte ministri i Ramës që është arrestuar sot?

Kjo dëshmon edhe njëherë rëndësinë që ka komisioni hetimor për inceneratorët, dëshmon edhe njëherë rezistencën, arsyet për rezistencë që iu bë ngritje së këtij komisioni dhe rikthen vëmendjen e qytetarëve faktin që ne, Partia Demokratike po e bëjmë këtë betejë për interesat e shqiptarëve, për xhepat e shqiptarëve, në krahun e shqiptarëve, por po tregohet qartë që me refuzimin për t’ju përgjigjur në kohë me dokumentacionin e kërkuar dhe me dëshmitarët e kërkuar fajtorët janë vetëzbuluar para opinionit publik”-tha Basha.

Të Fundit