Autoritetet italiane gjobisin Google, 102 milionë Euro për…. – Stop
Bota, Të Gjitha

Autoritetet italiane gjobisin Google, 102 milionë Euro për….

Autoritetet italiane kanë gjobitur Google me 102.8 milionë euro, me akuzën se ka shkelur ligjin e kokurrencës.

Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregut (AGCM) tha se gjoba u vu për shkak se Google refuzoi që Enel X Italia të zhvillonte një version të aplikacionit të saj “JuicePass” në bashkëpunim me Android Auto.

Aplikacioni lejon përdoruesit të gjejnë dhe rezervojnë një vend në një stacion karikimi për automjetet elektrike.

“Duke refuzuar bashkëpunimin e Enel X Italia me Android Auto, Google ka kufizuar padrejtësisht mundësinë që përdoruesit të cilët ngasin dhe karikojnë një automjet elektrik të përfitojnë nga aplikacioni Enel X Italia,” – u shpreh AGCM në një deklaratë.

“Google për pasojë ka favorizuar aplikacionin e vet Google Maps, i cili funksionon në Android Auto dhe mundëson shërbime funksionale për karikimin e automjeteve elektrike, aktualisht i kufizuar vetëm në gjetjen dhe marrjen e udhëzimeve për të shkuar në pikat e karikimit, por që në të ardhmen mund të përfshijë funksione të tjera të tilla si rezervimi dhe pagesa. Përjashtimi i aplikacionit Enel X Italia nga Android Auto ka zgjatur për më shumë se dy vjet, dhe nëse do të vazhdonte, mund të rrezikonte përgjithmonë shanset e Enel X Italia për të ndërtuar një bazë të fortë përdoruesish në një kohë të rritjes së konsiderueshme të shitjeve të automjeteve elektrike,” – thuhej gjithashtu në deklaratë.

Një zëdhënës i Google tha se nuk pajtohen me vendimin e Autoritetit dhe do të rishikojnë opsionet e tyre.

“Prioriteti numër një për Android Auto është të sigurojë që aplikacionet të përdoren në mënyrë të sigurt. Kjo është arsyeja pse ne kemi udhëzime të rrepta për llojet e aplikacioneve të cilat aktualisht mbështeten në testet e shpërqendrimit të drejtuesit dhe standardet rregullatore dhe të industrisë,” – thuhej në deklaratën e Google.

Google është gjobitur nga një mori çështjesh gjyqësore në Evropë dhe SH.B.A. në vitet e fundit për pretendimet e praktikave antikonkurruese.

Komisioni i Bashkimit Europian ka lëshuar disa gjoba miliarda euro kundër Google që nga viti 2017, duke akuzuar gjigantin amerikan për abuzim me dominimin e tij për të favorizuar shërbimet e veta.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *