Arrestohet 31-vjeçari/ Kalon me semafor të kuq, i zgjat policit kartëmonedhën 5000 lekë!

Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia pasi ka tentuar të korruptojë punonjësin e policisë pasi është ndaluar në shkelje teksa drejtonte automjetin.

Ai ka tentuar t’i japë efektivit të policisë një kartëmonedhë 5000 leke me qëllim shmangien e masës administrative. Ndaj tij tashmë rëndon akuza për veprën penale “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

“Rrugoret e kryeqytetit, kanë shtuar patrullimet policore në funksion të planit të veprimit për parkimet e gabuara dhe shkeljen e semaforit. Gjatë patrullimit parandalues policor, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, kanë konstatuar drejtuesin e një automjeti me iniciale G. T, 31 vjeç,  se vazhdon lëvizjen ndonëse sinjalizimi i semaforit e ndalon atë.

Gjatë kryerjes së veprimeve policore dhe administrative, drejtuesi i automjetit, i ka ofruar agjentit verifikues një kartmonedhë prerje 5000 lekë, me qëllim shmangien e masës administrative. Në këto kushte, është bërë menjëherë arrestimi në flagrancë i shtetasit me iniciale G. T, për veprën penale  “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal”, njofton policia.

Të Fundit