Ahmetaj: Projekti i rindërtimit unik, po ecën me ritme të shpejta ,shteti ka marrë përsipër të gjithë ndërtimin.

Procesi i rindërtimit pas tërmetit po ecën me procedura të shpejta. Kështu tha ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj gjatë një interpelance në kuvend ditën e sotme, i thirrur nga deputeti Halit Valteri.

Teksa e cilësoi unik projektin e rindërtimit të zgjedhur nga qeveria, z. Ahmetaj tha se ndryshe nga ç’mund të ketë ndodhur në shtete të tjera në raste të fatkeqësive natyrore, kur të dëmtuarve u janë ofruar kredi të buta, qeveria shqiptare zgjodhi t’i dëmshpërblente 100 për qind të prekurit duke u dhënë shtëpi, si pronë të tyre.

“Formula sot është publike, shteti ka marrë përsipër të gjithë ndërtimin, që nga infrastruktura deri tek shtëpitë. Ne vendosëm që shtëpitë të shkonin si pronë e qytetarëve që janë dëmtuar nga tërmeti, jo tua linim me qira siç kërkonin disa këtu. Kush ju përgjigj shqiptarëve në ditën e vështirë, është kjo mazhorancë”, tha ministri Ahmetaj.

Sipas ministrit, brenda 31 dhjetorit do të jenë gati 600 banesa individuale në Shijak dhe Tiranë.

Z. Ahmetaj tha se buxheti për rindërtimin është 34 mld lekë, ndërsa u ndal edhe tek infrastruktura arsimore, ku theksoi se në programin e rindërtimit janë 167 shkolla.

Në këtë kuadër, ministri dha lajmin se sot hapet gjimnazi ‘Sami Frashëri’, i cili u shemb pak muaj më parë pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit.

“34 miliard lekë janë për rindërtimin, nga të cilat janë alokuar 32 miliard lekë në 4 programe. Janë 167 objekte arsimore për t’u rindërtuar. Sot hapëm ‘Sami Frashërin’, urime nxënësve që studiojnë aty dhe atyre që kanë studiuar më parë”, tha z. Ahmetaj.

Të Fundit