15 makina të sekuestruara i shtohen flotës së policisë, një prej tyre e blinduar

Policia e Shtetit | 15 automjete, prodhime të viteve të fundit, njëri prej tyre i blinduar, të sekuestruara gjatë operacioneve policore për goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, i janë shtuar flotës së automjeteve të Policisë së Shtetit, gjatë 5 muajve të fundit.

Kjo dëshmon vendosmërinë e Policisë së Shtetit, në luftën ndaj krimit, duke siguruar që çdo pasuri e përfituar në mënyrë të paligjshme, pas konfiskimit, do të vendoset në përdorim të Policisë së Shtetit, në shërbim të qytetarëve, për më shumë rend dhe siguri.

Njëri prej këtyre automjeteve i ka kaluar Drejtorisë së Policisë Rrugore, automjet i shpejtë që do t’u vijë në ndihmë shërbimeve të Policisë Rrugore, bashkë me mjetet inteligjente dhe logjistikën bashkëkohore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, ndërsa automjetet e tjera të sekuestruara u kanë kaluar strukturave të tjera të Policisë së Shtetit, që kanë specifika të veçanta shërbimi.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët, për të luftuar me vendosmëri krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe për të sekuestruar pasuritë që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

Të Fundit