Një incident i tensionuar ka ndodhur në Theth, ku një fadromë e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ishte angazhuar në prishjen e objekteve pa leje në këtë zonë. Pas sulmit me molotov ndaj fadromës, ka shpërthyer një përplasje e ashpër mes banorëve të Thethit dhe zyrtarëve të IKMT-së.
Mësohet se policia ka ndërhyrë menjëherë për të mbajtur rendin, ndërsa operacioni për shembjen e ndërtesave pa leje ka vijuar. Po ashtu, autoritetet kanë nisur kërkimet për identifikimin e personave që hodhën shishe benzine në drejtim të fadromës. Sipas njoftimit të policisë, hedhja e shishes me benzinë nuk ka shkaktuar dëme në mjetin fadromë, por vetëm ka dëmtuar urën.
Në një debat të ashpër mes shefit të IKMT-së, Fatmir Metaj, dhe një banori të Thethit, ai u shpreh:
“Nuk mund të hedhësh molotov dhe të vrasësh punonjësit e shtetit. Nuk është normale. Ke ndërtuar pa leje, je i paligjshëm. Nuk është e pranueshme të vrasësh njerëzit. Po të ishe ti atje, do të kishte pasur pasoja.”
Banori i Thethit, në reagim, i tha shefit të IKMT-së: “Me shpinë time çfarë ke?” ndërsa Metaj iu përgjigj: “Jo me molotov, nuk mund ta kthehesh shtetin mbrapa as me armë, as me kallash. Të jesh i bindur ti dhe një mijë si ty.”
Një tjetër banori i Thethit shprehet i revoltuar duke iu drejtuar shefit të IKMT-së: “Molotovin e ke ti për popullin,” duke theksuar dhe pakënaqësinë e banorëve ndaj ndërhyrjes së autoriteteve.
Incidenti solli shqetësime mes shtetit dhe banorëve duke e bërë të nevojshme ndërhyrjen nga forcat e policisë.