Zv.presidentja e SHBA: Nuk do të dërgojë trupa për të luftuar rusët në Ukrainë

Zëvendëspresidentja e SHBA, Kamala Harris tha të mërkurën se “gjithçka është në tryezë” ndërsa SHBA po vlerëson sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Rusisë për fillimin e një sulmi ndaj Ukrainës.

Ajo gjithashtu theksoi faktin se SHBA nuk do të dërgojë trupa për të luftuar forcat ruse në Ukrainë.

“Ajo që do të vazhdojmë të bëjmë është të qëndrojmë të vendosur me aleatët tanë në drejtim të rivlerësimit të asaj që po bëjmë me sanksionet. Gjithçka është në tryezë për t’u konsideruar, sinqerisht,”-tha Harris për NBC.

“Ajo që ne nuk do të bëjmë dhe duhet thënë gjithashtu, siç ka thënë vazhdimisht Presidenti, ne nuk do të vendosim trupa amerikane në Ukrainë për të luftuar rusët në tokë ose në ajër. Por ne jemi të vendosur në gatishmërinë tonë për të mbrojtur aleancën tonë të NATO-s dhe aleatët tanë, çdo centimetër të territorit të NATO-s, dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”,-ka thënë zëvendëspresidentja.

Harris u shpreh se SHBA po monitoron nga afër veprimet e Rusisë dhe po vlerëson nëse ka pasur shënjestrim të qëllimshëm të civilëve dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Zëvendëspresidentja tha se SHBA do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare, si dhe ndihmë për sigurinë për popullin e Ukrainës.

Harris tha se Rusia tashmë po i sheh efektet e masave hakmarrëse ekonomike që SHBA ka vendosur kundër saj.

Ajo vlerësoi gjithashtu presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke thënë se ai “ka treguar guxim të jashtëzakonshëm” dhe “ka qenë një frymëzim për të gjithë ne”.

Të Fundit