Melisa Trëndafili, 31-vjeçarja e cila u dogj me benzinë nga bashkëshorti i saj, Bledar Trëndafili, nga shtrati i spitalit ka rrëfyer momentin e tmerrshëm kur u përball me sulmin e të shoqit.
E reja, e cila pësoi djegie të rënda në trup nga flakët, u shpreh se po kthehej nga puna kur u përball me 45-vjeçarin, i cili po e priste në rrugicën e shtëpisë.
Melisa Trëndafili tha se nuk vuri re që bashkëshorti i saj kishte benzinë, pasi shishen e kishte futur në xhep. 31-vjeçarja deklaroi se ishte fqinja e saj që i fiku zjarrin në trup me ujë.
“Plagët i kam tek duart më shumë sepse jam munduar ta fik zjarrin me duar, tek barku dhe kofshët”, u shpreh ajo, duke shtuar se pas ngjarjes ka pasur ankth dhe nuk fle dot pasi trembet.
“Më del imazhi i tij para syve, kam frikë edhe për fëmijët”, theksoi e reja, teksa rrëfeu se me partnerin kishte 10 vite që njihej, por prej nëntorit të vitit të kaluar vendosi që të ndahet për shkak problemeve mes tyre.
“Jam shumë keq. Po kthehesha nga puna, më gjeti tek rrugica e shtëpisë, ndaloi dhe nuk e pash që kishte benzinë. E kishte futur shishen tek xhepi. E nxori dhe më hodhi çakmakun, ishte fqinja ajo që fiku me ujë zjarrin. Ai erdhi dy ditë më parë, takoi fëmijët, u ulëm në një park lojërash, ishte i qetë. I thash për fëmijët duhet të kemi komunikim. Ditën e dytë nuk folëm më, të tretën pastaj erdhi e bëri.
Po presim të shikojmë si janë plagët. Di vetëm që do të rri gjatë në spital. Plagët i kam tek duart më shumë sepse jam munduar ta fik zjarrin me duar, barkun dhe kofshët. Kam temperaturë dhe më ka nisur ankthi. Nuk fle dot, trembem. Më del imazhi i tij para syve, kam frikë edhe për fëmijët. Kam 10 vite që njihem me të. Ai e ka ndërruar emrin, E ka pasur Bledar Trëndafili dhe tani e ka Elton Trëndafili edhe vjet në nëntor unë po sëmuresha shumë shpesh sepse jetonim në Tiranë, kishim punë tonën.
Sëmuresha prej stresit, i flisja për mirë, që shiko se kemi familje, ai nuk po bënte asnjë ndryshim dhe unë u sëmura më shumë dhe aty vendosa të shoh fëmijët dhe veten time. Familjarët e tij kam kontaktuar sepse kam marrëdhënie të mira. Ata më mbështesin, kanë bërë çmos që ai të ndryshonte por nuk e bëri. Gjatë sezonit punonte në Sarandë. Kemi ndërruar shumë shtëpi. Unë nuk kam asgjë. Kur kisha punën këtu në Tiranë, që ma hapën njerëzit e burrit, ai ma shkatërroi. Më ka ndihmuar tashmë familja ime, që nga nëntori. Punoj ku të mundem. Ai më ka lënë shumë keq me sigurimet”, tha ajo për media