Zjarret, Rama kritika për gjyqtarë dhe prokurorë: Do ti vendosim para përgjegjësisë

Këtë të mërkurë u organizua një ceremoni e Mirënjohjes Kombëtare për forcat e përfshira në përballimin e zjarreve të verës, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

Në këtë ceremoni, kryeministri shprehu mirënjohjeje për ushtarakë, efektivë të policisë, zjarrfikës, mjekë dhe personel të emergjencave civile.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se beteja me zjarret gjatë dy muajve të fundit ka qenë “një kronikë e gjatë ethesh, plagësh dhe dhimbjesh.

“Këto dy muaj kanë qenë një kronikë dramatike me nota stërmundimi, përkushtimi dhe heroizmi njerëzor që i bëjnë nder uniformave tuaja dhe, falë jush, nderojnë shtetin dhe lartësojnë Republikën”, tha Rama

Kryeministri theksoi sakrificat e pilotëve të helikopterëve, të cilët “fluturonin mes tymit mbytës”, ndërsa zjarrfikësit përballeshin me rrezikun e mbytjes dhe kushteve ekstreme në terren.

Ai shfrytëzoi fjalimin për të kritikuar sistemin e drejtësisë, duke deklaruar se disa gjyqtarë dhe prokurorë kanë dhënë masa të lehta për personat e ndaluar për zjarrvënie.

“Mijëra njerëz me uniformë derdhin energjitë e tyre me një përkushtim deri në vetmohim në një luftë sfilitëse me zjarret, ku mijëra hektarë pasuri pyjore përpihet nga flakët. Disa persona me integritet moral dhe profesional zero, me gjykime të pashpjegueshme, i përqeshin këto sakrifica dhe interesin publik,” tha Rama.

Ai bëri të ditur se i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë që t’u përcjellë organeve të qeverisjes së gjyqësorit rastet e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë marrë vendime në favor të zjarrvënësve.

“Nuk do të heshtim dhe nuk do të lëmë gur pa lëvizur në shtratin ligjor për të vendosur përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale çdo prokuror e gjyqtar që sulmon shtetin dhe interesin publik në favor të zjarrvënësve, zaptuesve apo grabitqarëve të pasurive publike,” deklaroi kryeministri.

Në fund, Rama u shpreh se qeveria do të mbështesë pa rezerva ata prokurorë dhe gjyqtarë që i shërbejnë misionit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në vitin 2030.

Të Fundit