Pas situatës së krijuar nga vatrat e shumta të zjarrit në disa zona të vendit, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një deklarate publike, ku dha detaje mbi ndërhyrjet ajrore në terren dhe falënderoi vendet partnere për ndihmën e dhënë.
“Përveç pesë forcave ajrore të Forcave tona të Armatosura, kemi pasur një avion ‘Canadair’ nga Italia, dy nga Greqia. Përfitoj nga rasti t’u bëj një falënderim miqve tanë grekë, kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, sepse janë vetë në një situatë të vështirë, por gjithsesi mekanizmi europian funksionoi,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se ndihma ka ardhur gjithashtu nga vende të tjera: “Dy helikopterë nga Hungaria, një nga Sllovakia, dy avionë suedezë, dy helikopterë ‘Black Hawk’ nga Emiratet e Bashkuara.”
Kryeministri theksoi nevojën për investime të qëndrueshme në kapacitetet ajrore, duke theksuar se Shqipëria aktualisht nuk zotëron avionë të specializuar për përballimin e zjarreve:
“Pa diskutim që po të kishim vetë avionët tanë, do të ishte më mirë. Por kush i bën llogaritë, duhet t’i rikthehet llogarive, sepse avionët nuk janë një fjalë goje.”
Në fund të deklaratës së tij, Rama reagoi edhe ndaj akuzave për blerje avionësh për përdorim personal:
“Disa kanë ngrënë edhe broçkullën e madhe që ne kemi blerë avion për vete. Nuk ka asnjë avion të blerë për vete. Avioni i përdorur nga unë është vetëm për udhëtime zyrtare, sepse për çdo udhëtim privat unë marr avionët e linjës dhe jam bashkë me familjen në ekonomik.”