“Zhduken” 82 milionë lekë nga Bashkia e Elbasanit

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për Bashkinë Elbasan vë në pikëpyetje eficiencën në mbledhjen e të ardhurave vendore në këtë bashki.

Sipas auditimit, llogaria 468 “Debitorë të ndryshëm” ka shënuar një rritje nga 1.17 miliardë lekë në fillim të vitit 2024 në 1.2 miliardë lekë në fund të vitit, me një shtesë prej rreth 25 milionë lekë, e cila lidhet kryesisht me rritjen e detyrimeve të papaguara për taksa dhe tarifa vendore nga Bashkia Elbasan dhe njësitë vartëse.

KLSH-ja thekson se kjo rritje tregon mungesë të masave efektive nga drejtimi i bashkisë për të ulur nivelin e debitorëve dhe për të përmirësuar performancën në arkëtimin e të ardhurave.

Auditimi shkon më tej duke konstatuar se llogaria nuk paraqet një pamje reale të situatës financiare, pasi një pjesë e konsiderueshme e debitorëve nuk është kontabilizuar. Konkretisht, rezultojnë të ardhura të munguara në vlerën 82 milionë lekë si pasojë e mosregjistrimit të plotë të detyrimeve, çka krijon rrezik të drejtpërdrejtë për humbjen e të drejtës së bashkisë për t’i kërkuar këto detyrime në vijim. Kjo situatë shoqërohet edhe me mungesë koordinimi institucional, pasi nuk ekziston një korrespondencë e plotë ndërmjet Drejtorisë së të Ardhurave, Lejeve dhe Licencave dhe Drejtorisë së Financës dhe Buxhetit, duke dobësuar gjurmën e auditimit dhe kontrollin mbi debitorët.

"Zhduken" 820 milionë lekë (të vjetra) nga Bashkia e

Në analizë më të detajuar të kësaj llogarie, auditimi evidenton se nuk janë përfshirë detyrime të rëndësishme, përfshirë debitorët nga gjobat e vendosura nga IMTV në vlerën 72,474,712 lekë, nga të cilat vetëm një pjesë prej 19,818,157 lekësh është trajtuar përmes procedurave të faljes sipas VKM-së në fuqi, ndërsa mbeten për t’u pasqyruar në kontabilitet 21 subjekte në vlerën 52,656,555 lekë.

Po ashtu, nuk janë kontabilizuar plotësisht detyrimet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, që arrijnë në total 17,714,436 lekë, si dhe detyrimet nga kontratat e qirasë për fondin pyjor dhe kullosor në vlerën 12,368,615 lekë, të shpërndara mes disa subjekteve privatë.

"Zhduken" 820 milionë lekë (të vjetra) nga Bashkia e

Në përfundim, KLSH rekomandon që Drejtoria e Buxhetit dhe Financës e Bashkisë Elbasan të marrë masa për të reflektuar plotësisht në kontabilitet llogarinë 468 “Debitorë të ndryshëm”, duke përfshirë të gjithë debitorët e papasqyruar, konkretisht: detyrimet nga qiratë e fondit pyjor dhe kullosor në vlerën 12,368,615 lekë; gjobat e IMTV për 21 subjekte në vlerën 52,656,555 lekë; si dhe detyrimet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në vlerën 17,714,436 lekë, me synim korrigjimin e pasqyrave financiare të vitit 2025.

Paralelisht, KLSH-ja i kërkon kryetarit të Bashkisë Elbasan të nisë procedurat për masa disiplinore për punonjësit e përfshirë, si edhe të marrë masa për mospërsëritjen e shkeljeve të tilla./ekofin.al

Të Fundit