Sot po mbahen zgjedhjet në 12 universitete publike në të gjithë vendin. Në këto zgjedhje garohet për organet drejtuese në pozicionin e rektorëve, dekanëve dhe shefave të departamenteve.
Në 90 % të universiteteve në garë është vetëm një kandidat. Zgjedhjet kanë nisur në orën 08:00 dhe do të vijojnë deri në 16:00, më pas do nis procesi i numërimit dhe rreth orës 20:00 pritet që të dal edhe rezultati.
Universiteti i Tiranës ka 6 fakultete dhe në në garë është Artan Hoxha që kandidon për një mandatë të dytë, ndërsa 6 fakultetet e tjera, në 3 prej tyre të këtij universiteti kemi nga një kandidaturë në garë, ndërsa në 3 të tjera kemi nga dy kandidatura.
Në universitetin bujqësor kandidon Fatbardh Sallaku, Agron Kasa në Universitetin e Sporteve, Xheladin Draçini te Mjekësia dhe Akil Fundo në Universitetin Politeknik.
“Janë tre qendra kryesore votimi, në secilin fakultet procesi ka filluar në orën 8 të mëngjesit, deri tani nuk është deklaruar asnjë anomali, procesi vazhdon qetësisht dhe rregullisht”, tha Zamira Boboli, kryetare e Komisionit Zgjedhor.
Për rektor të universitetit të Gjirokastrës, është vetëm një kandidaturë Prof.Dr. Jaho Canaj, cili deri tani ka mbajtur postin e zv/rektorit të Universitetit.
“Sfidat që na presin pëerpara janë shumë të mëdha, në radhë të parë ne jemi një institucion i vogël në krahasim me universitetet e tjera kjo për shkak të shpopullimit të vazhdueshëm të Qarkut të Gjirokastrës, uljes së numrit të maturantëve në shkollat e sistemit parauniversitar, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti dhe në regjistrimet që bëhen pranë universitetit tonë”, tha Jaho Canaj, kandidat për rektor.
Në Vlorë 192 pedagogë dhe 4 mijë studentë votojnë sot për të zgjedhur rektorin e universitetit Ismail Qemali, 4 dekanët dhe 16 shefat e departamenteve.
Katër janë qendrat e votimit në të katër fakultetet e Ismail Qemalit, në atë të Ekonomisë, Shëndetit publik, fakultetin e Shkencave Humane dhe në atë të Inxhinieri Navales.
Njëkohësisht votohet për senatin e ri të Universitetit, në dy fletë të ndryshme, për personelin akademik dhe studentët.