Çifti Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta janë përfshirë në një seri replikash në distancë këtë të hënë. I pari që reagoi ishte ish-presidenti Meta, i cili iu drejtua Kryemadhit si “Zegjineja e SPAK-ut” dhe kërkoi prej saj që të mos ia përmendte më emrin në daljet e saj publike. Meta gjithashtu ngriti dyshime se si Kryemadhi, nën hetim nga SPAK për lidhje dhe përfitime nga kushëriri i saj në SHBA, Ardian Shatku, mundi të merrte leje nga organi i akuzës dhe të udhëtonte përtej Atlantikut në muajin janar.
Në përgjigjen e saj, Kryemadhi ka nxjerrë vizën amerikane me disa hyrje-dalje dhe shton se ajo nuk është aspak e ndaluar të udhëtojë jashtë vendit.
Kryemadhi shton se nuk ka nevojë të marrë leje për të udhëtuar, përveç ditës kur është në “detyrim paraqitje” pranë SPAK.
Ajo ironizon Metën duke e quajtur “fansi i Zeqinës” dhe nuk lë pa përmendur Tedi Blushin, të cilin e quan “fansi i garderobës së saj”.
Të enjten e kaluar nga jashtë Kuvendit, Kryemadhi hodhi akuza të forta ndaj Tedi Blushit, duke thënë se ai është personi që manipulon Metën dhe që e ka larguar nga miqtë dhe familja.
Postimi i Monika Kryemadhit:
“Një sqarim i vogël në këtë ditë të nxehtë për të ftohur mendje të nxehura nga dezinformues tradicionalë. Unë nuk jam e penguar nga askush për të lëvizur drejt Amerikës dhe çdo vendi tjetër, përveç ditës që drejtësia ka vendosur të jem në “detyrim paraqitje” pranë SPAK.
Siç e shikoni, viza amerikane është me disa hyrje-dalje dhe kjo është një gjë e vërtetueshme nga foto ose nga zyra e shtypit në ambasadën përkatëse. Nuk kam nevojë të marrë leje askund, madje as fansit të Zeqinës, e as fansit të garderobës sime Tedi Blushit, për të udhëtuar drejt çdo vendi ku kam viza pune.”