Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar nga burgu, pasi sot më 17 dhjetor 2025, mbush 46 vjeç.
Veliaj shprehet se kjo është ditëlindje e pazakontë, ndërsa ka falënderuar të gjithë ata që e kanë uruar në këtë ditë të shënuar për të.
“Më gëzuan pa masë letrat e urimet tuaja këtu në Durrës, në këtë ditëlindje të pazakontë. Ju falenderoj nga zemra që jeni kujdesur për nënën, bashkëshorten dhe djalin tim të vogël përgjatë këtyre 10 muajve. Vit absurd ky, por zbulova miqtë e ditëve të vështira e që nuk do i harroj kurrë!
Ju dua shumë e ju përqafoj me mall! Faleminderit nga zemra”, shkruan Veliaj.
Erion Veliaj ka lindur më datë 17 dhjetor 1979, duke mbushur sot 46 vite. Kjo ditëlindje e gjen atë në burgun e Durrësit, ku ndodhet prej 10 shkurtit.
Ai po qëndron në burg, i akuzuar nga SPAK për korrupsion në 9 raste, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.



