Zbuloi lidhjen intime e të bijës së martuar, babai me 2 vëllezërit dhe 2 djemtë marrin peng të dashurin

SARANDË – Ngacmimi dhe lidhja intime me një grua të martuar dyshohet se u bë shkak për marrjen peng dhe ushtrimin e dhunës për 3 orë ndaj 39-vjeçarit Gentian Omeri. Rreth orës 01:00 të mesnatës së 19 janarit u sulmua me makinë teksa po udhëtonte nga Konispoli drejt Tiranës.

Ishte Astrit Ndoj bashkë me 2 vëllezërit e me 2 djemtë e tij që morën peng Gentian Omerin, i cili dyshohet se i ngacmonte të bijën dhe kishte krijuar lidhje jashtëmartesore me të. Ajo nuk ia ka dalë ta fshehë aq mirë historinë që kishte nisur me Omerin pasi ishte zbuluar nga babai, dy vëllezërit dhe 2 xhaxhallarët, njëri prej të cilëve ( Alfred Ndoj) është në kërkim ndërsa të tjerët u arrestuan.

Mesnatën e 19 janarit, Astrit Ndoj i përplasi makinën Gentian Omerit që ta nxirrte nga rruga dhe ta merrte peng ndërsa shoqërohej nga Pjetër Ndoj, Aleksandër Ndoj, Anton Ndoj dhe Alfred Ndoj.

Mjeti i Omerit përfundoi në kanal ndërsa 5 të afërmit e nxorën me forcë dhe e futën me dhunë në bagazhin e makinës me të cilën po lëviznin. Destinacioni ku kishin planifikuar ta çonin ishte fshati Xarë, ku e plagosën rëndë për ngacmimin ndaj gruas së martuar dhe e lanë pa ndjenja në rrugë me dhëmbë dhe gishtërinj të thyer.

Ishte një telefonatë në polici që bëri të mundur vënien në lëvizje të forcave blu, të cilët gjetnë në rrugë 39-vjecarin dhe e dërguan me urgjencë në spitalin e Sarandës për trajtim mjekësor.

3 orë më vonë u bë lokalizimi në fshatin Shëndelli dhe prangosja e 4 autorëve të dyshuar, të cilët nuk i rezistuan arrestimit por ngritën duart lart sapo panë forcat blu. Operacioni u zhvillua nga Forca Operacionale e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë dhe FNSH, nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës.    

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjete që përdoreshin nga të arrestuarit dhe 7 aparate celulare. Autorët akuzohen për veprat penale “Plagosja e rendë me dashje”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.

Të Fundit