Një shtëpi bari është zbuluar në Vaun e Dejës, ku janë sekuestruar 140 kg kanabis. Në pranga pronari Zef Shtjefni dhe tre familjarë të tij.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Naraç”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen 140 kg cannabis sativa në trajtë boçesh, që u gjetën në një banesë të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje të furnizuara me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Arrestohen në flagrancë 4 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari kriminale (pronari i banesës dhe tre familjarë të tij).
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës dhe me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatin Naraç, bashkia Vau i Dejës, ishte prodhuar lëndë narkotike në një banesë, ushtruan kontroll në kuadër të operacionit policor të koduar “Naraç”.
Gjatë kontrollit, në banesën e shtetasit Zef Shtjefni, në fshatin Naraç, shërbimet e Policisë gjetën rreth 140 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa në trajtë boçesh. Nga verifikimet e kryera rezultoi se në këtë banesë kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Gjithashtu, në një ambient në afërsi të banesës, shërbimet e Policisë kanë gjetur pajisje të ndryshme që dyshohet se janë përdorur për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me lëndën narkotike dhe 1 mjet zetor me rimorkio.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit Zef Shtjefni, 61 vjeç, Gent Shtjefni, 38 vjeç (babë e bir), Dritan Shtjefni, 35 vjeç dhe David Shtjefni 42 vjeç, vëllezër (nipat e shtetasit Z. Sh.), të gjithë banues në fshatin Naraç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.