Zbulohet muri rrethues i qytetit ilir të Amantias, i përket shekullit III para Krishtit! Rama: I shton një kapitull të ri historisë së kësaj qendre antike

Zbulohet muri rrethues i qytetit ilir të Amantias, i përket shekullit III para Krishtit, Rama: Hedh dritë mbi organizimin urbanistik dhe publik të qytetit ilir

Gërmimet arkeologjike në Parkun e Amantias pranë Vlorës kanë zbuluar murin rrethues të qytetit të poshtëm të Amantias, i cili mendohet se është ndërtuar në shek. III p.Kr. dhe shkatërruar në shek. VI pas Krishtit.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet se ky fortifikim i shton një kapitull të ri historisë së kësaj qendre antike.

“Në Parkun Arkeologjik të Amantias, arkeologët kanë zbuluar një element të panjohur më parë: murin rrethues të qytetit të poshtëm të Amantias, i cili mendohet se është ndërtuar në shek. III p.Kr. dhe shkatërruar në shek. VI m.Kr. Ky fortifikim i fuqishëm hedh dritë mbi organizimin urbanistik dhe publik të qytetit ilir, duke i shtuar një kapitull të ri historisë së kësaj qendre antike”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë thekson se specialistët kanë realizuar edhe një ndërhyrje restauruese të domosdoshme për mbrojtjen e varreve monumentale, si dhe punime të tjera konservuese mbi monumentet e evidentuara vitet e fundit, duke pasuruar kështu peizazhin arkeologjik të Parkut Antik.

Të Fundit