Për herë të parë në Durrës po ndërtohet një shkollë e re, që do të ketë në oborrin e saj muze arkeologjik. Gjatë gërmimeve për rindërtimin e shkollës “Eftali Koçi” të dëmtuar nga tërmeti u zbulua një mur antik.”
Ky është një fragment i murit rrethues të qytetit, i cili ndante hapësirën urbane me atë funerare e religjoze të qytetit antik.
Krahas tij, arkeologët kanë zbuluar edhe produkte të ndryshme qeramike si amfora dhe sasi të mëdha kapakësh.
Janë gjetur gjithashtu disa vazo me figura të zeza dhe të kuqe të shekullit të 5-të, disa llamba, si dhe terrakote të subjekteve njerëzore dhe kafshësh.
Këto zbulime, që mendohet se datojnë në shekujt IV-III p.e.s, mund të jenë ndër më kryesoret të realizuara në qytetin bregdetar në 30 vitet e fundit.
Prandaj, paralelisht me shkollën e re po ndërtohet dhe infrastruktura për vizitorët e këtij siti arkeologjik, që do t’i shtohet qytetit bregdetar.
E gjithë hapësira në fjalë është pjesë e zonës arkeologjike A të qytetit 3000-vjeçar dhe gjetjet e deritanishme mund të jenë vetëm fillesat e një zbulimi edhe më të rëndësishëm që mund të dalë në dritë në vijim.