Arkeologët në Estoni kanë zbuluar një copë katrani të thuprës, të përtypur rreth 10 mijë e 500 vjet më parë nga një vajzë adoleshente e Epokës së Gurit. Gjetja u bë nga Instituti i Historisë dhe Arkeologjisë në Universitetin e Tartu-s, i cili identifikoi në të shenja dhëmbësh dhe gjurmë të pështymës.
Katrani i thuprës, i prodhuar përmes distilimit të thatë të lëvores së pemës, përdorej në lashtësi si ngjitës, por edhe për qëllime shëndetësore, si lehtësimi i dhimbjeve të dhëmbëve. Pas analizimit të ADN-së së pështymës, Instituti i Gjenomikës i universitetit zbuloi se substanca ishte përtypur me shumë gjasë nga një vajzë me flokë dhe sy kafe.
“Instituti ruan mostra ADN-je nga 20% e popullsisë së Estonisë, çka u jep shkencëtarëve mundësinë të krahasojnë materialin modern gjenetik me atë antik”, tha historiania Bettany Hughes.
Zbulimi u prezantua në dokumentarin Hidden Estonia: Land of Fire and Ice, pjesë e serisë Bettany Hughes’ Treasures of the World, i transmetuar të shtunën në Channel 4.
“Qasja në kërkimet e ekipit ishte një moment vërtet magjik”, u shpreh Hughes. “Një objekt i hedhur tutje mund të na sjellë ballë për ballë me njerëzit e së kaluarës. Tani e dimë se njerëzit përtypnin katran thuprash për të qetësuar dhimbjet e dhëmbëve ose për ta përdorur si ngjitës. Madje, fakti që [vajza] kishte sy dhe flokë kafe sfidon supozimin se evropianët e Veriut në lashtësi kishin kryesisht flokë të çelët dhe sy blu.”
Universiteti i Tartu-t po analizon edhe artefakte të tjera historike nga e gjithë Estonia, përfshirë një kryq metalik 800-vjeçar me figura gjinie, që lëshon tingull kur mbahet. Kryqi ka një pjesë të lëvizshme në formë vulve që godet një gravurë të një penisi.
Prof. Heiki Valk i tha Hughes se objekti tregon mënyrën se si estonët mesjetarë bashkuan simbolet pagane të pjellorisë me besimin e tyre të ri të krishterë. “Kur e mban, nxjerr një tingull të mrekullueshëm”, u shpreh ai.
Në dokumentar, Hughes analizoi edhe artefakte të gjetura pranë skeletit të një gruaje të shekullit XII në fshatin Kukruse. “Zonja e Kukruse-s”, rreth të pesëdhjetave, ishte varrosur me stoli bronzi e argjendi, ushqim për jetën e përtejme, një sitë, thika dhe një vezë zogu të fekonduar të vendosur pranë këmbëve.
Dr. Ester Oras, arkeologia që analizoi guaskën e vezës, tha: Dikush ka vendosur që kjo grua të varrosej me një vezë të fekonduar, ndoshta për arsye simbolike të lidhura me krishterimin dhe pjellorinë.



