Janë zbuluar emrat e katër personave të arrestuar nga Policia me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, për skandalin e publikimit të të dhënave të pagave të shqiptarëve.
Andi Agaraj dhe Eni Qirjako janë dy specialistët e IT te Drejtoria e Tatimeve, të cilët morën të dhënat personale për të mbi 650 mijë qytetarëve, duke ja shitur më pas dy përmbaruesve, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.
Në një deklaratë për mediat ditën e sotme Kryeprokurorja e tiranës Elisabet Imeraj tha se dy specialistët e IT kanë shpërdoruar detyrën duke nxjerrë të dhënat e qytetarëve dhe më pas ua kanë shitur subjekteve private.
“Janë kryer veprimet hetimore në mënyrë intensive. Është vijuar me sekuestrimin e serverave, kompjuterave duke dalë në përfundimin e një dyshimi të arsyeshëm të bazuar në prova. Kemi zbuluar katër autorë të ngjarjes. Dy janë punonjës në drejtorinë e tatimeve, punonjës IT. Ka dyshime se të dhënat kanë rrjedhur prej tyre.
Specialistja e IT në Drejtorinë e Tatimeve, e cila është e punësuar në AKSHI duke patur aksesin në të dhënat personale ka hyrë duke marrë këto të dhëna personale dhe ia ka shpërndarë kolegut të saj i cili ka shfrytëzuar marrjen e këtyre të dhënave dhe ka arritur që t’ua shesë subjekteve private.
Prokuroria vazhdon hetimet intensive. Sekuestrimi është bërë në Drejtorinë e Tatimeve dhe në DPSHTRR pas daljes së listës së targave. Duke pasur parasysh faktin që një veprimtari e tillë ka disa muaj që zhvillohet që nga skandali i patronazhistëve, prokuroria është në funksion të plotë me veprime të plota.”, tha Imeraj.