Policia e Korçës dhe Pogradecit ka zbuluar 5 lokale të përshtatura për veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit në të dy qytetet. Si rezultat i ndërhyrjes, janë vënë në pranga dy administratorë lokalesh dhe janë proceduar penalisht gjashtë shtetas të tjerë, mes tyre edhe punonjës.
Teksa policia ka identifikuar lokalet ku zhvillohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit, u sekuestruan monitorë, pajisje elektronike dhe telefona që shërbenin për vendosjen e basteve sportive, si dhe u konstatuan punonjës të paregjistruar.
Si rezultat i hetimeve janë arrestuar:
J.L., 29 vjeç, banues në Korçë, administrator lokali, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati” dhe “Punësimi i paligjshëm”;
E.M., 26 vjeç, banues në Pogradec, administrator lokali, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Nga kontrolli u gjetën edhe punonjës të paregjistruar, ndërsa Prokuroria nisi procedim penal ndaj:
M.V., 48 vjeç, dhe S. B., 34 vjeç, për veprën “Punësim i paligjshëm”;
V.T., 19 vjeç, dhe Ç. P., 42 vjeç, për “Organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit”;
E.Ç., 41 vjeç, për ushtrim aktiviteti të paregjistruar;
D.K., 43 vjeç, për “Deklarim të rremë para Policisë Gjyqësore”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.



