Atentati në Don Bosko me një grua të vrarë dhe gjashtë të plagosur dyshohet të jetë kryer për motive hakmarrje ndaj vrasjeve të ndodhura në Tiranë, Fushë-Krujë, Laç e Lezhë, ku në shënjestër ishin njerëzit e Ervis Martinaj, të cilët u ekzekutuan njëri pas tjetrit përgjatë dy viteve të fundit.
Këto janë dyshimet e forta të policisë që po heton për identifikimin e autorëve të masakrës së ndodhur mbrëmjen e së dielës, ku dy persona të armatosur me kallashnikov, qëlluan me breshëri mbi lokalin në pronësi të Fatjon Muratit dhe vëllezërve të tij që ndodhet në rrugën Anastas Shundi.
Ndërkohë, shënjestra e atentatit, Fatjon Murati, i cili do të duhet të ishte në ‘arrest shtëpie’ është arratisur dhe dyshimet janë se është larguar jashtë vendit. Ai është dyshuar me herët për atentatin me 3 të vrarë tek mbikalimi i Fushës-Krujës, ku viktimë mbeti Brilant Martinaj dhe dy miqtë e tij, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha.
Në lokalin e Muratit, nga breshëria e armëve, humbi jetën banakierja Mimoza Paja, si dhe u plagos xhaxhai i Fatjon Muratit dhe 5 persona të tjerë, përfshirë dhe mbesën 10 vjeçe të viktimës. Për të rënë në gjurmët e autorëve policia po sekuestron kamerat e sigurisë, përgjatë rrugës që kanë ndjekur ekzekutorët nga Don Bosko deri në fshatin Likmetaj ku ata dogjën makinë që përdoren në atentat.