Artan (Marius) Tafani është autori i dyshuar i grabitjes me armë në një pikë të këmbimit valutor në zonën e Unazës së Re, në Tiranë. Identiteti i tij bëhet i ditur nga policia e kryeqytetit, e cila ka mundur të zbardhë ngjarjen e ndodhur mëngjesin e së shtunës, më 24 Qershor. Në një njoftim për mediat, policia thotë se e ka shpallur në kërkim 39-vjeçarin Tafani, i cili rezulton i dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër kriminale.
“Në vijim të veprimeve intensive hetimore, bazuar dhe në provat e grumbulluara dhe informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Round”. Në kuadër të këtij operacioni u shpall në kërkim autori i dyshuar i kësaj ngjarje, Artan (Marius) Tafani 39 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se Artan (Marius) Tafani, më datë 24.06.2023, në Unazë të Re, është futur në një pikë për transferta parash dhe këmbimi valutor, dhe nën kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka marrë një shumë parash është larguar me një biçikletë.”
Po ashtu policia e Tiranës, ka vënë në pranga një 35-vjeçar, nën akuzën se ka penguar zbulimin e të vërtetës.
“Enio Mecaj, i ka vënë në dispozicion autorit të dyshuar një garazh automjetesh, dhe me veprimet dhe mosveprimet e tij ka penguar zbulimin e së vërtetës, duke pretenduar se nuk e njeh personin që ka në posedim garazhin. Gjatë kontrollit të garazhit u gjetën biçikleta dhe veshjet e përdorura nga autori gjatë ngjarjes, si dhe një automjet që rezulton i vjedhur me datë 23.02.2023, në Shijak, Durrës”.
Nën kërcënimin e armës, Tafani arriti të merrte një shumë prej të paktën 30 mijë eurosh.