Është zbardhur ekspertiza e thikës së krimit në vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.
Burime në prokuorinë e Tiranës bëjnë me dije se në thikën e krimit, nga gjurmët e gjakut janë zbuluar dy profile ADN-je.
Një prej profileve të ADN përputhet me viktimën Martin Cani.
Profili i dytë përputhet me të plagosurin Luis Meçja.
Pra, sipas ekspertizës rezulton se me të njëjtën thikë është vrarë Martin Cani si dhe është plagosur Luis Meçja.
Vrasja ndodhi më 18 Nëntor pas një përleshjeje jashtë shkollës “Fan Noli”, sapo të miturit dolën nga shkolla.
Sipas dinamikës së ngjarjes, Martin Cani dhe shoku 14-vjeçar që ai thirri për mbështetje nga Sauku, ishin mbi trupin e autorit duke u përleshur, kur i dyshuari goditi me thikë. Nga plagët humbi jetën Martin Cani dhe mbeti i plagosur miku i tij, ndërsa gjatë përleshjes u vetëplagos në parakrah edhe autori i dyshuar.
Shoku i plagosur i Martin Canit ka pretenduar se autori i dyshuar nuk ishte i vetmi që kishte thikë gjatë sherrit, por policia i ka mohuar këto pretendime. Gjykata e Tiranës më 22 nëntor, caktoi arrest me burg për 14 vjeçarin Mario Përlleshi dhe më 26 nëntor i dyshuari u transferua për në Burgun e të Miturve në Kavajë.