Hetimet e kryera pas aksidentit tragjik në rrugën “Kastriotët”, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar, kanë zbardhur detaje të rëndësishme mbi rrethanat e ngjarjes dhe veprimet e shoferëve të përfshirë.
Policia ka identifikuar dhe arrestuar autorët e dyshuar, Tomorr Shukulli, 55 vjeç, dhe Valentina Koltraku, 42 vjeçe, si dhe ka sekuestruar dy automjetet e tyre. Hetimet tregojnë se i mituri u përplas fillimisht nga makina e Shukullit dhe më pas përsëri nga automjeti që drejtonte Koltraku. Pas ngjarjes, të dy drejtuesit u larguan nga vendi i aksidentit.
Sipas informacionit të siguruar nga specialistët e qarkullimit rrugor, Shukulli ka transportuar fëmijën në spital, por gjatë veprimeve hetimore tentoi të mohojë dijeninë e tij për aksidentin, duke u përpjekur të fshihej pas ngjarjes.
Hetimet vijojnë me qëllim individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit nga të arrestuarit, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.



