Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, këtë fundjavë ka ngjitur malin më të lartë të vendit tonë, Korabin.
Në një postim në faqen e saj zyrtare në Instagram teksa poston foto nga ngjitja në malin e Korabit, ka dhënë edhe një mesazh për politikën shqiptare.
Kim shkruan se të ngjiste malin e Korabit iu desh kohë pasi nuk ishte më e forta apo më e shpejta, por qëndroi dhe arriti në majë. Ajo kujtoi rëndësinë e mbajtjes së fokusit nga politika shqiptare duke theksuar edhe njëherë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Rrënjët e familjes sime janë në male. Unë gjithmonë gjej forcë dhe frymëzim sa herë që jam në malësitë shqiptare. Unë mendoj se malësorët janë të njëjtë pavarësisht vendit. Ndërsa verës po i vjen fundi, unë jam duke reflektuar mbi sfidat dhe mundësitë e ardhshme. Vendosa të përgatitem për sezonin e ri duke u ngjitur në majën e majës më të lartë të Shqipërisë, malin Korabi, 2,764 metra e lartë! Unë nuk isha më e shpejta ose më forta, dhe u desh më shumë kohë se sa kishim planifikuar, por ne qëndruam dhe arritëm në majë. Më kujtoi rëndësinë e mbajtjes së fokusit në qëllimin tuaj, të qenit i rrethuar nga miq që ju inkurajojnë dhe qëndrojnë me ju deri në fund, dhe kurrë mos hiqni dorë. Njëra këmbë para tjetrës, hap pas hapi, ne mund të arrijmë qëllimin tonë së bashku”, shkruan Kim.