Yuri Kim nga Vlora: Nuk duhet të ushtrohet trysni mbi asnjë votues, askush s’duhet të shesë apo të blejë votën

Nga Vlora, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim është shprehur se deri më tani situata në procesin zgjedhor paraqitet e qetë, por do të pritet raporti i të gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR për të dalë në përfundime konkrete.

Yuri Kim: Unë jam një ndër vëzhguesit ndërkombëtarë të shumtë, të cilët janë këtu në Shqipëri. Deri më tani, situata duket në rregull, por unë jam vetëm një person dhe duhet të presim vëzhgimin që kanë bërë vëzhguesit e tjerë. Më e rëndësishmja është të dëgjojmë raportimet që do të bëjnë nga ODIHR. Ne po udhëtojmë në gjithë vendin. Unë isha në Nivicë dhe në Selenicë këtu, por do të shkoj të vizitoj dhe disa vende të tjera.


Ambasadorja Yuri Kim ka bërë thirrje që të mos ushtrohet asnjë trysni mbi votuesit dhe çdo zgjedhës të ushtrojë të drejtën e tij pa e shitur apo blerë votën. Ambasadorja Kim ka shtuar se është përgjegjësi e autoriteteve të zbatojnë ligjet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

Pyetje: Në Himarë si e keni parë situatën?

Yuri Kim: I kemi parë të gjitha situatat.

Pyetje: Ka pasur disa denoncime për trysninë nga kryetari i bashkisë, a keni ndonjë koment?

Yuri Kim: Nuk duhet të ushtrohet asnjë trysni mbi asnjë votues dhe është shumë e rëndësishme që çdo votues të ushtrojë të drejtën e tij sepse kjo është një e drejtë themelore dhe askush nuk duhet të shesë dhe të blejë votën dhe është përgjegjësia e autoriteteve që t’i zbatojnë ligjet në mënyrë të barabratë dhe të njëtrajtshme në çdo situatë.

Të Fundit