Xixëllonjat po zhduken, netët e verës mund të mbesin pa dritën magjike të natyrës

Ashtu si fishekzjarrët e 4 Korrikut, noti në ditë të nxehta dhe pushimet e gjata verore, edhe xixëllonjat janë një simbol i paharruar i stinës së verës. Shumë prej nesh i kujtojnë me nostalgji netët kur ndiqnim dritat që ndriçonin fushat e errëta, duke u ndjerë si në një botë magjike. Por shkencëtarët po paralajmërojnë se brezat e rinj mund të mos kenë fatin të përjetojnë të njëjtën mrekulli, pasi xixëllonjat po zhduken me shpejtësi nga mjediset natyrore në të gjithë botën.

Pse po zhduken xixëllonjat?
Megjithëse nuk ka një përgjigje të saktë, studiuesit besojnë se dy faktorë kryesorë po ndikojnë në këtë rënie shqetësuese: zhvillimi urban dhe ndotja nga drita.

Xixëllonjat zhvillohen në mjedise të lagështa, afër ujërave të qeta, si përrenjtë, liqenet apo kënetat. Ato qëndrojnë pranë vendlindjes dhe varen shumë nga ekosistemet natyrore si pyjet, fushat dhe zonat e mbuluara me bimësi të dendur. Por ndërtimet, shkatërrimi i pyjeve dhe urbanizimi i zonave të gjelbra po zhdukin habitatet e tyre.

Përveç kësaj, ndriçimi artificial i natës po ndërhyn në mënyrën e komunikimit të xixëllonjave. Këto insekte komunikojnë përmes dritës përdorin sinjale të ndritshme për të gjetur partnerë, për të mbrojtur territorin dhe për t’u mbrojtur nga grabitqarët. Por dritat e shtëpive, makinave dhe rrugëve i çorientojnë, duke e bërë më të vështirë për to të gjejnë njëri-tjetrin për çiftim.

Humbja e magjisë natyrore
Studimet kanë treguar se drita artificiale mund të ndërpresë sinkronizimin e flakërimeve të xixëllonjave për disa minuta pas kalimit të dritave të makinave. Në zona ku më parë organizoheshin edhe ture turistike për të parë xixëllonjat, sot numri i tyre është zvogëluar ndjeshëm.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa për mbrojtjen e habitateve natyrore dhe reduktimin e ndotjes së dritës, xixëllonjat mund të zhduken plotësisht nga shumë zona të botës. Humbja e tyre nuk do të jetë vetëm një trishtim nostalgjik për netët e verës, por edhe një goditje për ekuilibrin natyror dhe biodiversitetin.

Të Fundit