Aleksandër Vuçiç ka fituar zgjedhjet e parakohshme në Serbi. Lista e Partisë Përparimtare Serbe “Aleksandar Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 46.4 për qind të votave në zgjedhjet e 17 dhjetorit, që nënkupton 129 mandate në Parlament, sipas sondazheve të organizatës joqeveritare, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci. Në vendin e dytë është koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, me 23.5 për qind të votave apo 63 ulëse. Në vendin e tretë është Partia Socialiste Serbe, e ish-ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, me 6.6 për qind të votave apo 19 ulëse. Daçiç ka shprehur gatishmëri që të bashkëpunojë me partinë e Vuçiçit.
Sipas sondazheve, nga listat e komuniteteve, Shaip Kamberi e ka siguruar një vend të komunitetit shqiptar, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të fitojë gjashtë ulëse, koalicioni i kroatëve të Vojvodinës tri ulëse dhe një ulëse ka fituar Partia Ruse. Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.
Një total prej 18 partive dhe aleancave kanë garuar për të fituar mbështetjen e 6.5 milionë banorëve, me të drejtë vote, për përfaqësim në Parlamentin me 250 ulëse. Pragu për hyrje në Parlament është 3 për qind. Fillimisht numërohen votat për Parlament, më pas për krahina dhe ato lokale. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se partia e tij është rritur për 10 për qind në të gjitha vendvotimet, në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Ai ka pretenduar se partia e tij ka fituar edhe në Beograd. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, anëtare e Partisë Përparimtare Serbe, e ka shpallur, po ashtu, fitoren e partisë. Bërnabiç i ka hedhur poshtë deklaratat e mediave, opozitës dhe organizatave joqeveritare për parregullsi në zgjedhje, duke i cilësuar “gënjeshtra brutale”. Predrag Mitroviç nga koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, ka thënë se rezultatet janë të mira, duke e pranuar renditjen në vend të dytë. “Është e qartë se numri i madh i votuesve prej Republikës Sërpska [të Bosnje-Hercegovinës] që kanë votuar ilegalisht në kryeqytet, sepse nuk kanë pasur adresa banimi aty, ka pasur efekt në rezultatin e përgjithshëm”, ka thënë ai.