Në fillim e përshëndeti një robot kinez, më pas prezantoi strategjinë kombëtare “Serbia 2030”. Presidenti Aleksandër Vuçiç tregoi hapur oreksin e tij territorial, duke përfshirë dhe Kosovën si pjesë të hartës politike dhe ushtarake të vendit të tij, pavarësisht se pretendoi se nuk kërkon luftë, por vetëm paqe.
“Kushtetuta e Republikës së Serbisë thotë pa mëdyshje se Kosova është një krahinë autonome brenda Serbisë. Kjo është shkruar edhe në Kartën dhe në rezolutën e Kombeve të Bashkuara, pavarësisht nëse disa në botë e pranojnë apo jo. E vetmja zgjidhje për Kosovën është biseda! Pa konflikte apo luftë, por dialogu, dhe vetëm dialogu… Fatkeqësisht, sot nuk kemi partner për bisedime, dëshira e tyre e vetme është dëbimi i serbëve nga atdheu i tyre shekullor. Ne duhet të forcojmë shkollat, spitalet dhe njerëzit tanë si themel të qëndrimit në Kosovë”, tha Vuçiç,.
Vuçiç paralajmëroi vazhdimin e ndërhyrjeve në punët e brendshme të Kosovës duke konfirmuar se shteti do të mbështesë manastiret dhe kishat. Pavarësisht se deklaratat për momentin e duhur për të bërë një luftë është bërë nga vetë ai, presidenti serb kritikoi raportimet e mediave ndërkombëtare lidhur me alarmin e ngritur për Ballkanin Perëndimor. Vuçiç bëri me dije se Serbia do të ruajë neutralitetin ushtarak dhe pranoi se ka frikë nga NATO.
“Ne gjithmonë kemi pasur marrëdhënie të mira me Federatën Ruse, tani kemi marrëdhënie gjithnjë e më të mira me Republikën Popullore të Kinës. Ne duhet të ndërtojmë marrëdhënie të mira strategjikisht dhe taktikisht me vendet e NATO-s, veçanërisht me aleancën, sepse nuk mund të përballojmë më të biem viktimë e sulmeve të tyre”, shtoi Vuçiç.
Presidenti serb dha alarmin se lufta e nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndaj Irani, po shndërrohet në konflikt botëror. Madje paralajmëroi se vatrat e luftës do të shtohen dhe se gjatë përplasjeve do të lëshohen armë që janë përdorur vetëm një herë në histori, duke iu referuar atyre bërthamore.
“Ky është vetëm fillimi i konfliktit. Amerikanët do të shkatërrojnë të gjithë infrastrukturën ushtarake, iranianët janë njerëz të guximshëm dhe do të luftojnë, por në një moment do të jetë e qartë se forca e kujt është dominuese dhe do të duhet të arrihet një armëpushim. Ky është vetëm fillimi i konflikteve në të gjithë botën”, tha Vuçiç.
Ndër të tjera, presidenti serb njoftoi krijimin e një ushtrie digjitale, ngjashëm me atë që sipas tij posedon Izraeli, si dhe bëri me dije se shumë shpejt do të hapet fabrika e prodhimit të dronëve të luftës në bashkëpunim me një shtet tjetër, lider në atë sektor.



