Vuçiç: Nëse rrezikohen serbët, do të presim 24 orë për ndërhyrjen e NATO-s – Stop
Lajme, Të Gjitha

Vuçiç: Nëse rrezikohen serbët, do të presim 24 orë për ndërhyrjen e NATO-s

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se e ka njoftuar sekretarin gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, që nëse rrezikohen serbët, do të presin 24 orë për ndërhyrje të NATO-s.

“I kam thënë Stoltenbergut, që nuk do të futemi në Kosovë nëse rrezikohet populli serb, para se të presim 24 orë për ndërhyrjen e NATO-s. Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, jo sepse ne nuk e konsiderojmë si territor tonë, por sepse sipas Marrëveshjes së Kumanovës, ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë”, ka deklaruar ai për televizionin Pink TV.

Më tej, Vuçiç ka vijuar deklaratën, duke thënë se Serbia ka rritur gatishmërinë e luftës, për shkak se forcat e Njësisë Speciale të Kosovës po qëndrojnë në Jarinjë.

“Automjetet me mitraloz qëndrojnë në vendkalimet prej shtatë ditësh dhe askush nuk emocionohet. Dhe pastaj ata emocionohen që një vend që është i njohur ndërkombëtarisht ka aeroplanë që fluturojnë në territorin e tyre. Ata nuk janë të interesuar për vuajtjet serbe”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës disa ditë më parë nisi zbatimin e reciprocitetit për targa duke vënë targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës. Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *