Një efektiv policie mbeti i vrarë me armë zjarri këtë hënë në Fier. Ngjarja e rëndë rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz.
Viktimë nga të shtënat ka mbetur efektivi i Shqiponjave, Novruz Cenalia, rreth 28-vjeç. Sipas policisë, efektivi u qëllua për vdekje nga Asllan Mernica, i cili u largua nga vendi i ngjarjes dhe autoritetet janë vënë në ndjekje të tij.
Efektivi mësohet se ishte jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e policisë, pasi po shkonte për të marrë shërbimin. Sa i përket motiveve të kësaj vrasjeje, ato momentalisht nuk dihen. Dyshimet e para janë se gjithçka ka ardhur si pasojë e një konflikti të çastit.
Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin. Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit. Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, tha Policia e Fierit në një njoftim për mediat.