Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, në përfundim të hetimeve, ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Arsen Muskurti, për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, të parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria vlerësoi se veprimet e Arsen Muskurtit janë kryer me paramendim dhe për shkak të marrëdhënieve familjare, çka rëndon pozitat e tij përballë ligjit. Organi i akuzës i ka kërkuar gjykatës dënimin maksimal, burgim të përjetshëm.
Aktualisht, Arsen Muskurti ndodhet në paraburgim, në pritje të vendimit përfundimtar të gjykatës.
Sipas dosjes hetimore, më 30 gusht 2022, Arsen Muskurti ka hyrë në ambientet e agjencisë së udhëtimeve “Nour Tours” në rrugën “Islam Alla” në Tiranë, ku ndodheshin vëllai i tij, Dritan Muskurti, dhe bashkëshortja e këtij të fundit, Nora Muskurti. I armatosur, ai ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre, duke i lënë të dy të vdekur në vend.
Ngjarja u zhvillua në vetëm pak sekonda, ndërsa autori u largua menjëherë pas krimit. Gjatë hetimeve u dokumentua se në vendin e ngjarjes u gjetën 5 gëzhoja, ndërsa arma e përdorur u sekuestrua më vonë në një kasafortë brenda ambienteve të biznesit të tij.
I pyetur për motivet e krimit, Arsen Muskurti ka deklaruar se në marrëdhënien me të vëllanë kishte pasur konflikte të vazhdueshme familjare, që kishin të bënin me çështje pronësie, mosmarrëveshje për biznesin e përbashkët, si dhe për sjellje të cilat ai i cilësonte si shantazhuese ndaj tij dhe prindërve. Viktimat, nga ana tjetër, më herët kishin kërkuar edhe urdhër mbrojtjeje nga gjykata, për shkak të konflikteve në rritje.