Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me 30 vite burg për ish-policin, Ludjan Zaimi duke mos pranuar rekursin e ish-efektivit i cili kërkonte prishjen e vendimit të dhënë nga Apeli i Posaçëm më 25 janar 2024.
Zaimi u shpall fajtor për veprën penale të “vrasjes me paramendim” të punonjësit të Policisë së Shtetit.
Ai vrau me armë zjarri kolegun e tij, Çaush Saliasi, më 23 maj 2022, brenda ambienteve të Komisariatit Numër 3 në Tiranë, pak para se dy oficerët e patrullës së përgjithshme të merrnin turnin.
Ngjarja ndodhi për shkak të bullizmit dhe konflikteve të vazhdueshme mes efektivëve në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë.
Zaimi në shkallën e parë u dënua me 35 vite burg për veprën penale “vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit”, por Apeli e rikualifikoi në “vrasje me paramendim”, duke ulur dënimin me 5 vite.
Ish-efektivi nuk u pajtua me këtë vendim dhe iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë.



