Elvis Shkambi, autori i dyshuar i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, ka reaguar për qytetarët përmes një letre të shkruar nga ai nga ambientet e paraburgimit.
Letra, është shkruar me datë 3 nëntor, e cila është siguruar nga gazetarja e Klan News, Glidona Daci.
Në letrën e shkruar prej 8 faqesh, Shkambi cilëson fillimisht se heshtja e tij për ngjarjen, ka ardhur në respekt të familjes Kalaja për humbjen e tyre. Ai shprehet se ndjen keqardhje për dhimbjen e shkaktuar në familjen Kalaja, ashtu sikurse dhe për familjen, shoqërinë dhe të afërmit e tij për shkak të veprimit të kryer nga ana e tij.

Shkambi shkruan se ajo se çfarë bëri ai atë ditë, ishte një veprim i palogjikshëm, por cilëson se vendimi i gjyqtarit Kalaja ishte po aq i palogjikshëm dhe “skandaloz”.

“Prej 13 vitesh, xhaxhai im Gjon Shkambi, ishte kthyer në një ‘eksperiment’ njerëzor nga sistemi gjyqësor në Shqipëri”, shkruan i riu në letër, teksa vijon më tej duke analizuar vendimin e gjyqtarit “kur unë po mundohesha t’i jepja fund këtij ‘eksperimenti’, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vendosi vazhdimin e atij eksperimenti”.

“Të kundërshtosh një padrejtësi ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, përveçse është moralisht e drejtë, është diçka burrërore dhe fisnike, por jo çdo mënyrë reagimi ndaj padrejtësisë është e duhura, apo justifikikohet”, shkruan më tej Shkambi, teksa sqaron se ishte në dijeni të veprimit të tij të paligjshëm, ndaj dhe u vetëdorëzua menjëherë.

Shkambi, në letër ka vënë dhe një pjesë nga poezia e tij, të shkruar nga ambientet e paraburgimit, që paraqet versionin e tij të situatës së ndodhur mesditen e 6 tetorit 2025.
“Dhe kur në Olimpin e të Padrejtëve mbjell frikë
Ata bëjnë një tjetër komplot të djallëzuar
Me gënjeshtra, shpifje dhe çdo intrigë,
Që përpara botës të dalësh ‘fajtor’”, është një pjesë e poezisë së shkruar nga Shkambi, që ai e ka ndarë në reagimin e tij publik, përmes letrës nga burgu.

Duke analizuar vargjet e tij të poezisë, Shkambi akuzon e disa magjistratë të Republikës së Shqipërisë, duke shkruar “Në Shqipëri, ka plot magjistratë të aftë e të ndershëm, por ka dhe shumë të lig, e për këta të fundit nuk kanë fe, as atdhe, as pikë morali njerëzor. Këto specie mizore e përdorin ‘çekiçin e drejtësisë’”, teksa shton “e kanë kthyer ‘peshoren e drejtësisë’ në një gjë thuajse abstrakte, e cila vetëm shihet: as nuk preket, as nuk ndihet”.
Një thirrje pati për fëmijët e të ndjerit Kalaja, “Gjithashtu, po u drejtohem sërish fëmijëve të të ndjerit: paralelisht me urrejtjen që kultivoni ndaj meje, kërkoni për të vërtetën! Ata që shtyjnë babain tuaj të merrte një vendim totalisht të padrejtë janë po aq fajtorë sa unë që ai nuk është sot me ju”.
Në përmbyllje të letrës, Shkambi shkruan se shteti shqiptar dhe ai kanë për t’i dhënë shumë “llogari ndaj njëri-tjetrit”.
“Unë kam shumë për të treguar dhe do tregoj kur të jetë momenti. Unë dhe shteti shqiptar e njohim mirë njëri-tjetrin dhe jam besimplotë që do i japim llogari njëri-tjetrit për dëmet dhe padrejtësisë që i kemi bërë njëri-tjetrit”, e mbyll letrën ai.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë, ndodhi më 6 tetor 2025, kur Shkambi vrau me armë zjarri gjyqtarin Astrit Kalaja, në ambientet e brendshme të sallës gjyqësore, në Apelin e Tiranës.
Tre ditë pas ngjarjes, 9 tetor, kjo gjykatë vendosi masën e “arrestit me burg” për autorin e vrasjes, Elvis Shkambi dhe dy persona të tjerë.
Në paraburgim ndodhet edhe Banush Koxhaj, punonjësi i sigurisë së gjykatës ku ndodhi ngjarja e rëndë, i dyshuar për “shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se nuk kreu detyrën për të kontrolluar Elvis Shkambin, ndonëse pajisja detektuese pikasi se ai kishte send metalik me vete.
Gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua pasi shpalli vendimin për një konflikt pronësie. Ai ndërroi jetë gjatë kohës kur po transportohej në spital, ndërsa Ragip dhe Ervis Kurtaj, të palës tjetër, mbetën të plagosur.
Pas krimit të rëndë, 32-vjeçari Shkambi u vetëdorëzua në polici, ku pas prangosjes deklaroi se vrasja ishte fundi i dhjetëra vendimeve të padrejta që ishin dhënë kundër familjes së tij.




