Prokuroria Tiranë ka kërkuar 25 vite burg për ish-policin Tomor Çela i cili në vitin 1997 vrau dy shtetas pas një debati për përplasjen e makinave
Tomor Çela u deportua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 3 vjet më parë. Ish-polici Çela vrau në vitin 1997 Elton Danin e Ledian Hoxhën.
Ky shtetas, më datë 27.11.1997 rreth orës 20:30 në lagjen nr.9, rruga B.Curri ka qëlluar me armë zjarri automatike ndaj viktimave shtetasve L. H. e E.D. duke ju shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Viktimat në momentin e vrasjes kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip autoveture Volvo. Pas kryerjes së vrasjes i pandehuri Tomor Çela. është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nuk është përcaktuar qartë shkaku i kësaj ngjarjeje të rëndë me pasojë vrasjen e shtetasve E. D. dhe L.H. Nga sa doli gjatë gjykimit, rezulton se i pandehuriTomor Çela tre katër ditë përpara ngjarjes, duke drejtuar një mjet tip Benz Mercedes 240 është përplasur me autoveturën ku udhëtonin shtetasit L.H. dhe E. D., ku për pasojë janë dëmtuar të dy mjetet. Pas aksidentit i pandehuri është konfliktuar me shtetasit E. D. dhe L. H. dhe më pas duke mos u dakordësuar në lidhje me dëmet e shkaktuara kanë lindur kontradikta të cilat kanë çuar në ndodhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë me pasojë vrasjen e shtetasve L. H. dhe E. D”, sqaron prokuroria.




