Këshilli i Lartë Gjyqësor përmes një shkrese të firmosura nga kryetari Ilir Rusi, drejtuar institucioneve më të rëndësishme në vend. kërkon marrjen e masave urgjente për të rritur sigurinë në gjykata pas vrasjes tragjike të gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit në tetor të vitit të shkuar.
KLGJ kërkon vendosjen e Policisë së Shtetit në të gjitha gjykatat e vendit, me prezencë të përhershme dhe klasifikimin e gjykatave si institucione të rëndësisë së veçantë.
“Kjo ngjarje përbën një akt të papranueshëm që ka goditur në themel sigurinë e sistemit gjyqësor dhe besimin publik tek shteti ligjor. Pas kësaj ngjarjeje, në vend të një reagimi të bashkërenduar institucional, opinioni publik ka qenë dëshmitar i një debati politik dhe institucional për përshkallëzimin e përgjegjësisë për sigurinë në gjykata, çka e konsiderojmë të papërshtatshme dhe të dëmshme për klimën e besimit publik. Këshilli i Lartë Gjyqësor ndjen detyrimin të theksojë se, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, KLGJ nuk është organ policor dhe nuk ka kompetenca ekzekutive për garantimin e sigurisë fizike në ambientet gjyqësore. Megjithatë, në ushtrimin e përgjegjësive për administrimin e sistemit gjyqësor, Këshilli ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme nevojën për rishikimin e strukturës së sigurisë në gjykata, për mbështetje financiare dhe për koordinim të plotë ndërinstitucional në këtë drejtim…
Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë Gjyqësor i kërkon institucioneve të lartpërmendura ndërhyrje urgjente për realizimin e këtyre masave:
* Vendosjen e Policisë së Shtetit në të gjitha gjykatat e vendit, me prezencë të përhershme, personel të trajnuar dhe plan të dedikuar sigurie.
* Mbështetje buxhetore dhe përmirësim i infrastrukturës së sigurisë.
* Klasifikimi i gjykatave si institucione të rëndësisë së veçantë.
* Rishikim i kuadrit ligjor dhe nënligjor që rregullon sigurinë në gjykata, për të përcaktuar qartë kompetencat, përgjegjësitë dhe burimet financiare ndërinstitucionale.
* Rishikim i plotë i protokolleve të hyrjes dhe daljes në gjykata, përfshirë procedurat e kontrollit për palët, dëshmitarët dhe publikun”, thuhet veç të tjerash në kërkesën e KLGJ.
Këshilli i Lartë Gjyqësor u bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave që, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Policinë e Shtetit, të hartojnë një Plan Kombëtar për Sigurinë në Gjykata, i cili të përcaktojë përgjegjësitë e secilit institucion, afatet e zbatimit, burimet financiare si dhe mekanizmat e kontrollit dhe raportimit.



