Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur nga mbledhja e grupit parlamentar komentoi përsëri në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.
Berisha theksoi se sulmi ndaj gjyqtarit nuk do të kishte ndodhur nëse shteti do të funksiononte normalisht dhe forcat e rendit do të mbanin përgjegjësinë ligjore për sigurinë e institucioneve të drejtësisë.
Ai tha se kryeministri Rama ka kaluar me vendim qeverie sigurinë në gjykata nga Policia e Shtetit te ajo që ai e quajti “Policia e Xhepit”.
Sipas Berishës, me vendimin e 8 korrikut 2020 iu hoq siguria gjykatave nga Policia e Shtetit, duke krijuar kështu hapësira për mosmbrojtjen e institucioneve.
Berisha theksoi se salla e gjyqit duhet të jetë vendi më i sigurt në shtet, për shkak të rëndësisë së proceseve që zhvillohen aty.
Ai vuri në dukje se akti i dhunës ndaj gjyqtarit u krye në një ambient që duhet të ishte i mbrojtur maksimalisht.
Berisha përfundoi duke e quajtur vrasjen e gjyqtarit si dështimin të institucioneve shtetërore.