Vrasja e Entjan Nikulajt, policia gjen 25 gëzhoja në vendngjarje. Shoqërohen disa persona

Të paktën 25 gëzhoja kallashnikovi janë gjetur në vendin ku mbeti i vrarë 40-vjeçari Entjan Nikulaj mbrëmjen e së shtunës në aksin rrugor Lezhë-Shkodër.

40-vjeçari ka qenë duke udhëtuar me një fuoristradë Mercedes-Benz kur ndaj tij u hap zjarri me breshëri kallashnikovi nga një tjetër automjet në lëvizje.

Entjan Nikulaj, i cili është djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt që u vra më 19 Prill 2023 në lokalin e tij në Shëngjin, u dërgua në Spitalin e Lezhës për ndihmë mjekësore. Por fatkeqësisht aty ndërroi jetë.

Sipas korrenspondentit të Klan News në Lezhë, Martin Marku, në lidhje me këtë atentat janë shoqëruar disa persona nga ana e efektivëve të Policisë së Lezhës, të cilët mund të kenë dijeni për rrethanat.

Për të hetuar ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor.

Sa i përket autorëve, besohet të kenë qenë 2 persona të cilët kanë përdorur në krim një makinë tip BMW me targa të vjedhura, që ishin raportuar të humbura në zonën e Kombinatit në Tiranë më 29 Nëntor.

Makina e vrasësve u gjet e djegur pranë aeroportit të Rinasit në mbrëmjen e të shtunës. Brenda mjetit ishin edhe dy armë zjarri automatik. Pasi braktisën makinën e përdorur në atentat, autorët mendohet të jenë ndihmuar nga një person tjetër për t’u larguar.

Pista e parë e hetuesve për vrasjen e Entjan Nikulajt është ajo e gjakmarrjes mes dy fiseve, Nikulaj-Lekstakaj.

Pas vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 Prill 2023, më 19 Korrik 2023 u ekzekutua me armë Nikolin Lekstakaj. Sipas Klan News, Entjan Nikulaj dyshohej se ishte një prej personave të përfshirë në këtë ngjarje.

Më 2 Dhjetor 2023, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër u vra Entjan Nikulaj.

Të Fundit